Sipas drejtuesve të Spitalit Rajonal të Prizrenit, në këtë institucion shëndetësor prej muajit të prill të vitit të kaluar kur janë pranuar pacientët e parë të infektuar me Covid-19, ditëve të fundit nuk ka asnjë pacientë të hospitalizuar nga virusi famëkeq.
Drejtori i Spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj, njofton se prej fillimit të trajtimit të rasteve të para të të infektuarve me Covid-19 në fillim të muajit prill të 2020-es, në këtë institucion nuk ka më asnjë pacientë të hospitalizuar me virusin Sars Cov-2 pozitiv. Ai njofton gjithashtu se është inkurajues fakti, pasi gjatë 24 orëve në këtë Spital është regjistruar vetëm një vizitë për Covid-19 dhe se pacienti fatmirësisht nuk ka pasur indikacione për hospitalizim dhe trajtim të mëtejmë.
Drejtori Avdaj, njofton gjithashtu se që nga prilli i vitit të kaluar, në këtë institucion shëndetësor kanë qenë të hospitalizuar mbi 3000 pacientë për Covid-19, 100 prej tyre nga Veriu i Shqipërisë, ndërsa janë realizuar mbi 20000 vizita ambulantorike.





