Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se çështja e personave të pagjetur vazhdon të jetë urgjente.
Ai këtë deklaratë e bëri pas vizitës së tij në Qendrën Burimore të Personave të Zhdukur në Prishtinë dhe pasi pa një shfaqje për këtë temë.
Lajçak dje në Prishtinë është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, me të cilin ka folur për vazhdimin e dialogut me Beogradin, derisa e ka përgëzuar për marrëveshjen e arritur për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë.
“Shumë mirë që u ktheva në Kosovë! E nisa vizitën time duke u takuar me kryeministrin për të vazhduar diskutimin tonë për rrugën përpara në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Unë gjithashtu e përgëzova atë për arritjen e një marrëveshjeje për energjinë javën e kaluar”, ka shkruar Lajçak pas takimit me Kurtin.





