Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka thënë se është duke punuar për të caktuar një takim të radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimit me kreun qeveritar, Lajçak tha se nuk ka biseduar për hapjen e arkivave të Kosovës.
“Kemi biseduar për dialogun po ashtu edhe për bashkëpunimin rajonal, nuk kemi diskutuar për hapjen e arkivave. Për kohën e fillimit të dialogut do të përgjigjem më vonë, do të takohem me shumë akterë, do të takohem tash me Bislimin, për t’i vazhduar bisedat e njëjta, për dialogun. Nuk dua bëjë deklarata politike. Do të përgjigjem për të gjitha në fund të vizitës. Po punojmë për datën e fillimit të dialogut”, tha Lajçak.
Diplomati sllovak ndodhet për vizitë treditore në Kosovë gjatë së cilës ai do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit.