Në një moment historik për kulturën shqiptare, arti i të luajturit, kënduarit dhe ndërtimit të Lahutës është shpallur zyrtarisht pjesë e listës së trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s për mbrojtje urgjente. Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar si “moment krenarie për kulturën dhe identitetin shqiptar”.
Çfarë është Lahuta? Lahuta është një instrument kordofon tradicional, me një tel, i përdorur në rajonin Dinarik të Evropës Juglindore dhe në gjeografinë shqiptare gjendet në Malësi të Madhe, Malësi të Gjakovës, Dukagjin, Plavë, Guci, Rugovë, Krajë, Postribë, Pukë, Kukës, Lezhë, Krujë dhe Kosovë.
Instrumenti përbëhet nga një kasë druri të zgavruar dhe një hark (argec) që prodhon tingujt karakteristikë. Lahuta lidhet ngushtë me këngët epike të Kreshnikëve dhe përdoret tradicionalisht nga rapsodët për të përcjellë histori heroike, ngjarje historike dhe vlera të trashëgimisë kombëtare.





