Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka njoftuar se të hënën në orën 12:00, Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme për të trajtuar problemin e furnizimit me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Seanca është thirrur me kërkesë të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e mbështetur nga 43 deputetë nënshkrues.
Sipas njoftimit, gjatë seancës do të propozohet një rezolutë e thjeshtë që obligon Qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të zgjidhin urgjentisht çështjen e furnizimit me ushqim dhe pajisje të tjera të nevojshme për ushtrinë.
Ai ka shtuar tutje se drafti i rezolutës mund të plotësohet nga deputetët gjatë seancës, duke lënë hapësirë për diskutim dhe përmirësime të mundshme.
“Nesër, në ora 12:00, me kërkesë të Grupit Parlamentar të AAK-së, të mbeshtetur nga 43 deputetë nënshkrues, do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për problemin e furnizmit me ushqim për Ushtrinë e Kosovës. Propozim Rezoluta është e thjeshtë: “Kuvendi i Republikës së Kosovës e obligon Qeverinë, Ministrinë e Mbrojtjes, që me urgjencë ta zgjidhë çështjen e furnizimit me ushqim si dhe me të gjitha pajisjet tjera të nevojshme”. Nesër Kuvendi do të obligojë Qeverinë të zgjidh këtë çështje. Për sqarim: ky draft i Rezolutës mund të plotësohet nga deputetët në seancë.”, ka shkruar Tahiri në Facebook./TVPrizreni/