LAJME

Kuvendi miraton shmangien e afateve për Ligjin për Specialen

Kuvendi miraton shmangien e afateve për Ligjin për Specialen
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Tetor 2026, 10:42

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota për dhe asnjë kundër shmangien nga afatet dhe procedurat parlamentare, duke i hapur rrugë shqyrtimit të parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, raporton Ekonomia Online.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka propozuar që shqyrtimi i parë i projektligjit të bëhet në seancën e jashtëzakonshme të sotme, duke shmangur procedurat e rregullta.

“Propozojmë që shqyrtimi i parë i këtij ligji të bëhet në seancën e jashtëzakonshme, pra sot”, tha Nagavci.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka sqaruar se ndryshimet e propozuara, sipas tij, nuk e cenojnë të drejtën e Dhomave të Specializuara për trajtimin e rasteve që lidhen me trafikimin e organeve, por synojnë që rastet e krimeve të luftës të gjykohen në Kosovë.

“Ky ligj nuk ia heq të drejtën Gjykatës Speciale për të trajtuar rastet që kanë të bëjnë me trafikimin e organeve, por i heq një pjesë të juridiksionit të Dhomave të Specializuara, atë që ka të bëjë me krimet e luftës. Ajo mund të vazhdojë me hetimet për trafikimin e organeve. Kosova nuk do ta ndryshojë Kushtetutën e saj dhe nuk do të prishë marrëveshjet ndërkombëtare që kemi me Holandën. Ajo që bëjmë është që krimet e luftës të zhvendosen për t’u gjykuar në Kosovë. Ligji i bart këto kompetenca për të gjitha rastet e ardhshme. Për ish-krerët, nëse do të ketë rast në Gjykatën Supreme, ai do të zhvillohet në Kosovë”, tha ai.

Shmangia nga afatet procedurale është e paraparë në Rregulloren e Kuvendit. Projektligji është përkrahur më herët në parim nga Komisioni për Legjislacion./EO

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika