LAJME

Kuvendi me mbi 7 milionë euro shpenzime në vitin 2025

Kuvendi me mbi 7 milionë euro shpenzime në vitin 2025
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Prill 2026, 11:45

Në Komisionin parlamentar për Buxhet është shqyrtuar raporti i shpenzimeve të Kuvendit për vitin 2025.

Votimi i këtij raporti u shty për t’u miratuar në mbledhjen e radhës së Komisionit, për shkak të telasheve teknike.

Deputetët u ankuan se raporti është vështirë i lexueshëm për shkak të cilësisë së skanimit.

Drejtori i Administratës së Kuvendit, Emrush Haxhiu, ka pranuar se shifrat në raport janë vështirë të dallueshme.

Sekretari i Kuvendit, Xheladin Hoxha, ka njoftuar se gjatë vitit 2025 u shpenzuan mbi 7 milionë euro.

Mbi 6 milionë nga ky buxhet i Kuvendit, sipas tij, kanë shkuar në paga dhe shtesa.

“Është shpenzuar 94% e buxhetit të planifikuar”, ka deklaruar Hoxha.

Deputeti Valon Hoti ka thënë se raporti i vitit 2025 nuk ka shumë dallime nga raportet e viteve kur Kuvendi ka qenë aktiv.

“Më intereson ta shoh listën e saktë të deputetëve që kanë udhëtuar jashtë vendit, me detaje të arsyetimit të udhëtimeve dhe çfarë është shpenzuar”, tha Hoti, duke shtuar se ka parë shumë udhëtime të deputetëve.

Ai ka thënë se në raport nuk po arrihen të lexohen emrat e deputetëve që kanë realizuar udhëtime zyrtare.

“Duket se ka pasur udhëtime thuajse në çdo muaj dhe janë paguar shpenzimet dhe mëditjet”, ka deklaruar Hoti, duke përkujtuar se gjatë vitit 2025 nuk ka pasur Kuvend funksional.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet, Istret Azemi, ka thënë se ka qenë vendim i Kryesisë i vitit 2024 që deputetët e angazhuar në Këshillin e Evropës të vazhdojnë të marrin pjesë për aq sa e kanë mandatin.

“Siç shihet, shumica e udhëtimeve kanë qenë në pjesën e parë të vitit, deri kur u ka përfunduar mandati [deputetëve]”, tha ai.

Në këtë mbledhje u miratua rekomandimi për miratimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit 2027–2029.

KALLXO.com ka raportuar vitin e kaluar për raportin e shpenzimeve të Kuvendit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.

Bazuar në atë raport, rezulton se përgjatë kësaj periudhe janë shpenzuar 16 mijë e 12 euro e 36 centë për udhëtime zyrtare.

Nga kjo shumë, 10 mijë e 397 euro janë shpenzuar për transport dhe rimbursim për vizita zyrtare jashtë vendit, ndërsa 2 mijë e 814 euro e 80 centë janë shpenzuar si para xhepi.

Për akomodimin e deputetëve, Kuvendi ka paguar 2 mijë e 514 euro e 86 centë, ndërsa për një drekë zyrtare jashtë vendit është paguar një faturë prej 285 eurosh.

Në vendimin që i është ofruar KALLXO.com-it, figuron se më 25.11.2024, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që anëtarëve të delegacioneve të përhershme të Kuvendit t’u lejohet pjesëmarrja në aktivitetet e organizatave ndërkombëtare deri në fund të mandatit./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika