LAJME

Kuvendi i pezulluar edhe një javë, Kushtetuesja: Jemi duke e shqyrtuar kërkesën

Kuvendi i pezulluar edhe një javë, Kushtetuesja: Jemi duke e shqyrtuar kërkesën
TV Prizreni
TV Prizreni
24 Mars 2026, 13:43

Edhe një javë përfundon afati i masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese për dekretin e 6 marsit të presidentes Vjosa Osmani, më të cilin ajo shpërndau Kuvendin.

Pas raportimeve se pritet që Gjykata të jap afat shtesë për zgjedhjen e presidentit të ri, nga Kushtetuesja kanë thënë se janë ende në shqyrtim të kërkesës.

“Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses për KOHËN.

Më 5 mars, për mungesë kuorumi prej 80 deputetësh, Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin, në mesin e kandidatëve Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku. Një ditë pas, presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin me dekret.

Ankesën në Kushtetuese e pati dorëzuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Kosovës. Ai pati kërkuar të vlerësohet kushtetutshmëria e dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit si dhe vendosjen e masës së përkohshme.

Masa e përkohshme e cila vlen deri më 31 mars, ndalon çdo veprim të presidentes së Republikës Kosovës në lidhje me dekretin e 6 marsit 2026, si dhe çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Gjykata thekson se vendosja e masës së përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës përmes të cilës ndalohet ndërmarrja e çdo veprimi nga Presidentja lidhur me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026 si dhe ndalimit të çdo veprimi të Kuvendit deri në vendosjen e rastit nga Gjykata Kushtetuese është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika