Gjykata Kushtetuese ka shpallur të pavlefshme disa pjesë të Ligjit për paga në sektorin publik, duke mos afektuar pagat që janë rritur bazuar në këtë Ligj.
Në një njoftim të Gjykatës Kushtetuese thuhet se ankesa e Avokatit të Popullit për Ligjin për paga është shpallur e pranueshme dhe ka konstatuar se disa nene të këtij ligji janë në kundërshtim me Kushtetutën
Sipas njoftimit vendimi i Kushtetueses nuk i afekton pagat e zyrtarëve publikë.
“Së pari, konstatimet e Aktgjykimit, nuk afektojnë në asnjë mënyrë kategorinë e funksionarëve/zyrtarëve/nëpunësve të cilëve u është ngritur niveli i pagës përmes Ligjit të kontestuar”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se me këtë aktgjykim është shpallur i pavlefshëm paragrafi 2 dhe 3 i nenit 41, që flet për shtesat tranzitore.
Në paragrafin 2 përcaktohet që vitin e parë të gjithë atyre që u ulen pagat marrin shtesë prej 100% të uljes, ndërsa vitin e dytë 50%, ndërsa paragrafi i tretë i përjashton nga këto shtesa punonjësit e shërbimit të jashtëm.
Aktgjykimi lë në fuqi pikën e parë të këtij neni që përcakton që zyrtarët publikë mund të marrin shtesë tranzitore që e bën të barabartë pagën e tyre të re me pagën e tyre para hyrjes në fuqi të Ligjit.
“Së dyti, shpallja në kundërshtim me Kushtetutën dhe për pasojë shfuqizimi i paragrafëve 2 dhe 3 të nenit 41 (Shtesat tranzitore) të Ligjit të kontestuar, ka pasojën e ruajtjes së nivelit ekzistues të pagave në sektorin publik derisa paga e re, përkatësisht ajo e përcaktuar përmes Ligjit të kontestuar, të bëhet e barasvlershme me pagën ekzistuese. Një përcaktim i tillë buron nga paragrafi 1 i nenit 41 (Shtesat tranzitore) të Ligjit të kontestuar, sipas të cilit, nëse një zyrtar publik apo funksionar publik, para hyrjes në fuqi të këtij ligji përfitonte pagë që është më e madhe se paga e plotë e parashikuar me këtë ligj, ajo/ai do të përfitojë pagën e re sipas dispozitave të këtij ligji dhe shtesën tranzitore të barabartë me diferencën ndërmjet pagës aktuale dhe pagës së re bazë. Rritja e vlerës së koeficientit për çdo vit fiskal në raport me zvogëlimin proporcional të shtesës tranzitore, duke e ruajtur nivelin e pagës ekzistuese për kategoritë që kanë pësuar zbritje pagash, gradualisht rezulton në “harmonizimin/nivelizimin” e plotë me nivelin e pagës së re, të cilën e saktëson Ligji i kontestuar përmes Shtojcave përkatëse. Për më tepër, shpallja në kundërshtim me Kushtetutën dhe shfuqizimi i paragrafit 3 të nenit 41 (Shtesat tranzitore) të Ligjit të kontestuar, në kontekst të kategorisë së shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, ngërthen detyrimin e trajtimit të kësaj kategorie sipas përcaktimeve të paragrafit 1 të nenit 41 (Shtesat tranzitore) të Ligjit të kontestuar”, thuhet në njoftim.
Kushtetuesja e shpallur të pavlefshëm edhe paragrafin 4 të nenit 41, i cili thotë se “Çdo person që punësohet pas miratimit të këtij ligji përfiton pagën sipas këtij ligji dhe nuk gëzon të drejtën e shtesës tranzitore”.
“Së treti, shpallja në kundërshtim me Kushtetutën dhe për pasojë, shfuqizimi i paragrafit 4 të nenit 41 (Shtesat tranzitore) të Ligjit të kontestuar, ngërthen detyrimin e nivelizimit të pagave, nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, të kategorisë të të punësuarve pas hyrjes në fuqi të ligjit të lartcekur, bazuar në vet nenin 4 (Parimet e sistemit të pagave) të tij, sipas të cilit, ndër tjerash, “secili, pa kurrfarë diskriminimi, ka të drejtë që për punë të barabartë të marrë pagë të barabartë”, thuhet në njoftim.
Gjykata e ka vlerësuar si kundërkushtetues edhe pjesën e ligjit ku flitet për lartësinë e shtesës për përvojën e punës, por atë pjesë e ka lënë në fuqi, duke i lënë hapësirë Kuvendit që brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit, ta rregullojë bazuar në Kushtetutë dhe Aktgjykim.
“Së katërti, përkundër faktit që (i) paragrafi 6 i nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar e që ndërlidhet me lartësinë e shtesës për përvojë të punës; dhe (ii) paragrafi 2 i nenit 2 (Fushëveprimi) i Ligjit të kontestuar ndërlidhur me dispozitat e saktësuara në dispozitivin e Aktgjykimit, janë vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën, Gjykata nuk ka shfuqizuar të njëjtat, sepse (i) shfuqizimi i të parës ndërlidhur me faktin që Ligji i kontestuar gjithashtu shfuqizon Ligjin nr.03/L-147 për Pagat e Nëpunësve Civil, do të rezultonte në zbrazëti ligjore përkitazi me të drejtën për shtesa mbi pagën për përvojën e punës; ndërsa (ii) shfuqizimi i të dytës, do të afektonte zbatimin e Ligjit të kontestuar në tërësinë e tij. Për pasojë, bazuar në nenin 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, Gjykata ka urdhëruar Kuvendin që në periudhën prej gjashtë (6) muajsh pas hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi, të ndryshojë dhe/ose plotësojë nenet e lartcekura në pajtim me Kushtetutën dhe Aktgjykimin e Gjykatës, me sqarimin që në kontekst të (i) paragrafit 6 të nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar, të drejtat që ndërlidhen me shtesën në përvojën e punës duhet të saktësohen përmes ndryshimit/plotësimit të Ligjit të kontestuar nga Kuvendi, por me efekt nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi; ndërsa (ii) paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) të Ligjit të kontestuar, pavarësia funksionale, organizative dhe buxhetore e institucioneve të pavarura kushtetuese, interpretohet dhe zbatohet në përputhje me Kushtetutën dhe Aktgjykimin e Gjykatës. Kjo e fundit, marrë parasysh përgatitjet e nevojshme për zbatimin e këtij Aktgjykimi, ka përcaktuar që Aktgjykimi hyn në fuqi më 1 shkurt 2024”, thuhet në njoftim.