Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë për çështjen e seancës konstituive, pas ankesës së Listës Serbe për moszgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb.
Kushtetuesja ka konstatuar që me moszgjedhjen e një nënkryetari nga ky komunitet nuk është konstituuar Kuvendi. Megjithatë, procedura e ndjekur në procesin e deritashëm me votimin jo në pako me nënkryetarin e komuniteteve tjera joshumicë, nuk përbën shkelje. Sipas Kushtetueses, deputetët mund të vendosin në vullnetin e tyre për procedurën e votimit në pako apo ndaras.
Në aktgjykim është thënë se edhe votimi i secilit deputet serb me nga tri runde votimesh nuk ka qenë shkelje.
Aty është konstatuar edhe se Emilja Rexhepi është zgjedhur në mënyrë të duhur nënkryetare e Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë joserbe.
Aktgjykimi i publikuar të mërkurën (8 tetor) i obligon deputetët që të zgjedhin një nënkryetar nga komuniteti serb brenda 12 ditësh.
Më 28 gusht, kryeparlamentari Dimal Basha shpalli të konstituuar Kuvendin e Kosovës pavarësisht moszgjedhjes së një deputeti serb për nënkryetar.
Lista Serbe dështoi në propozimin për Sllavko Simiqin në tri runde. E pas kësaj, Basha me short mundësoi votimin për çdo deputet të këtij grupi e edhe për deputetin jo të Listës Serbe, Nenad Rashiqin. Por as ai nuk mori votat e mjaftueshme.
Tani Kushtetuesja ka vendosur që secili deputet e ka për obligim të votojë për, kundër apo abstenojë ndaj propozimeve që duhet të dalin në Kuvend brenda 12 ditësh./KOHA