Diplomatët e Gjermanisë dhe Francës mohuan të martën të kenë hartuar ndonjë dokument për rrugën e përmbylljes së procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dokumenti që u publikua nga mediat në Kosovë, flet për themelimin e një “distrikti autonom” në veriun e Kosovës si dhe që Kosova dhe Serbia të njohin tërësinë tokësore dhe sovranitetin e njëra tjetrës.
Në dokument mes tjerash thuhet se Kisha Ortodokse Serbe do të këtë “status të privilegjuar”, ndërsa Serbia, pas ratifikimit të marrëveshjes ligjërisht detyruese “nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rajonale”.
Dokumenti joformal (non-paper), pretendohet se është përgatitur nga Gjermania dhe Franca, si një nismë për përmbylljen e bisedimeve Kosovë – Serbi. Gazeta shkroi se nuk ka mundur ta konfirmojë vërtetësinë e dokumentit, “por disa diplomatë… pak a shumë kanë konfirmuar se pikat që përmenden në të janë në përputhje me ato që pritet të diskutohen në dialog”.
Por, të martën, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, shkroi në rrjetet sociale se “i ashtuquajturi ‘non-paper’ franko-gjerman, i publikuar nga Koha Ditore është lajm i rremë. Mund të ketë dokument, por sigurisht që nuk është franko-gjerman. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe Miroslav Lajçak, siç e theksoi përsëri ministri i Jashtëm i Gjermanisë, (Heiko) Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, shkroi ai.