LAJME

Kusari-Lila takon përfaqësues të bizneseve në veri, vlerëson kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik

Kusari-Lila takon përfaqësues të bizneseve në veri, vlerëson kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Maj 2026, 08:12

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar një takim në Mitrovicën e Veriut me përfaqësues të disa bizneseve kosovare që operojnë në atë pjesë të vendit, pas shtrirjes së plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës në veri.

Gjatë takimit, ajo i ka falënderuar bizneset për vendimin e tyre për të investuar dhe operuar në Mitrovicën e Veriut, ndërsa ka dëgjuar edhe sfidat me të cilat po përballen në zhvillimin e aktiviteteve të tyre ekonomike.

Sipas Kusari-Lilës, është inkurajuese që bizneset e hapura në atë pjesë janë të gatshme të punësojnë qytetarë të të gjitha komuniteteve dhe etnive, pa diskriminim dhe në përputhje me legjislacionin e punës në Kosovë.

Ajo ka theksuar se përfaqësuesit e bizneseve e lidhin vazhdimin e stabilitetit dhe sigurisë në veri me zhvillimin ekonomik, rritjen e punësimit dhe përmirësimin e standardit të jetesës për qytetarët.

Ministrja në detyrë ka ritheksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të punuar në rritjen e aktivitetit ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës në të gjithë territorin e vendit, pa dallim.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika