Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Serbia po e sheh se përtej kufirit me Kosovën, është një shtet tjetër.
Kusari-Lila e ka bërë këtë deklaratë në “Java Sonte me Rronin” në KTV, duke folur për gjendjen në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, dhe vëzhgimin e tyre me helikopterë nga ushtria serbe, pas nisjes së zbatimit të reciprocitetit me targa për veturat serbe që hyjnë në Kosovë.
Pavarësisht kësaj, ajo ka thënë se e brengos ndonjë incident i mundshëm atje.
“Unë besoj që ajo qe po ndodh në veri e tregon prezencën e dy shteteve me sovranitet. Serbia e sheh se përtej kufirit me Kosovën është një shtet tjetër, në këto rrethana, mundet me qenë ndonjë incident brenda dhe ajo më brengos. Incidentet që i kemi parë më herët mes serbëve lokalë dhe me forcat e policisë së Kosovës, kjo është një brengë e cila e jep një element të pasigurisë dhe kontrollit mbi sovranitetin e territorit të Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo nuk ka bërë të ditur nëse rrethanat e krijuara në veri mund të ndikojnë në ngrirjen e dialogut Kosovë-Serbi, por ka thënë se VV-ja dëshiron që negociatat të kenë rezultate dhe ato të jenë të zbatueshme.
“Grupi parlamentar i VV-së, duhet të ketë bindjen që procesi duhet të ketë rezultate, dhe duhet të sigurohemi se si procesit i maten rezultatet. Nëse procesi rezultat të vetëm e ka marrëveshjen në letër atëherë çka duhet kur në terren nuk zbatohet”, është shprehur Kusari-Lila, duke shtuar se për vazhdimin e negociatave varet edhe nga pala e tretë dhe jo vetëm nga palët negociuese.