LAJME

Kusari-Lila për çmimin e naftës: Largimi ose ulja e TVSH-së nuk ofron asnjë garanci se do të reflektohet te çmimet finale

Kusari-Lila për çmimin e naftës: Largimi ose ulja e TVSH-së nuk ofron asnjë garanci se do të reflektohet te çmimet finale
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Mars 2026, 20:42

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se TVSH shpesh përmendet si zgjidhje e shpejtë për uljen e çmimeve të naftës, por realiteti është më kompleks.

Ajo ka thënë se largimi i TVSH-së nuk është zgjidhje sepse nuk ofron asnjë garanci.

Tutje, Kusari – Lila ka thënë se mekanizmat mbrojtës të shtetit janë të kufizuara për shkak të pezullimit të Ligjit për çmimet tavan, i cili është dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

 

“TVSH shpesh përmendet si zgjidhje e shpejtë për uljen e çmimeve të naftës, por realiteti është më kompleks. Edhe nëse hiqet apo ulet TVSH-ja, nuk ka garanci që kjo do të reflektohet te çmimet finale për qytetarët. Ekziston rreziku real që operatorët ekonomikë të mbajnë të njëjtat çmime, duke mos e reflektuar uljen në çmimin final. Në anën tjetër, mekanizmat mbrojtës të shtetit për efektet te produktet e tjera janë të kufizuara, për shkak të pezullimit të Ligjit për çmimet tavan, pasi i njëjti është dërguar në Gjykatën Kushtetuese”- ka thënë ajo.

Kusari-Lila tutje ka thënë se sot vërehet një rënie e çmimit të derivateve të importuara.

Sipas saj, rënia e çmimit për litër, krahasuar me ditën e djeshme, është 0.03 €/l.

“Prandaj, diskutimi për çmimet nuk duhet të fokusohet vetëm te TVSH-ja, por në një qasje më të gjerë që siguron transparencë, konkurrencë të ndershme dhe mbrojtje reale për konsumatorin. Ndërkohë, sot vërehet një rënie e çmimit të derivateve të importuara. Rënia e çmimit për litër, krahasuar me ditën e djeshme, është 0.03 €/l. Inspektorati Qendror dhe Administrata Tatimore, në bashkërendim me Doganat e Kosovës, do të vazhdojnë monitorimin strikt të tregut të brendshëm”- ka thënë ajo.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika