LAJME

Kusari-Lila paralajmëron kontrollin e cilësisë së naftës, dënimet për shitjen e duhanit e alkoolit te fëmijët

Kusari-Lila paralajmëron kontrollin e cilësisë së naftës, dënimet për shitjen e duhanit e alkoolit te fëmijët
TV Prizreni
TV Prizreni
21 Shkurt 2026, 08:48

Ministrja e re e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar masat që do t’i ndërmarrin për kontrollin e cilësisë së naftës dhe çmimit të saj në Kosovë.

Përveç tyre, ajo ka paralajmëruar edhe masat që do të ndërmarrin për bizneset që i shesin duhan e alkool personave nën 18 vjeç, ndërsa e pranoi se kanë dështuar në ndalimin e pirjes së duhanit në hapësira publike.

Pastaj, ajo ka folur edhe për mungesën e flamujve në raftet e marketeve në Kosovë që tregojnë origjinën e produkteve që shiten.

Sipas ministres Kusari-Lila, duhet të rriten kapacitetet në Dogana që ta bëjnë kontrollimin e cilësisë së naftës, duke qenë se shumica e derivateve importohen në Kosovë.

“Do të gjenden mekanizma të cilat sigurojnë këtë kontroll. Po them edhe një herë jo vetëm kualitetin, po gjithashtu edhe procesin në të cilin bëhet kontrolli me pasë këtë transparencë. Ne mundemi m’i pasë inspektorët të cilët në kohë reale e bëjnë vlerësimin, analizën.” – tha Kusari-Lila në “Kallxo Përnime”.

Për rritjen e çmimit të naftës, Kusari-Lila u përballë me faktin se naftarët kanë fituar. Ministrja tha se kontrolli i çmimit bëhet vetëm në situata specifike, kur ka tejkalim të çmimeve ose normës së inflacionit.

“Nuk ka qenë ideja m’i nxjerr prej biznesit naftëtarët, ideja ka qenë për mos me tejkalu çmimin. Ne po mundohemi që me disa mekanizma të tjerë me kthy tek çmimi apo marzha dhe çmimi për produktet bazike, një proces të cilin e kam nënshkruar sot dhe do ta fillojmë me grupin punes që në fillim të javës së ardhshme.” – ka deklaruar Kusari-Lila.

Kusari-Lila po ashtu u pyet për shitjen e kerozinës në Aeroportin e Prishtinës, që është lejuar të shitet aq sa vendos kompania dhe ka monopol.

“Çmimi i kerozinës për aeroplan nuk shitet te tjerët, shitet tek avionët. Unë derisa kam qenë ministre dhe tash që jam kthy, nuk kam pas ndonjë kërkesë ose vërejtje prej kompanive të aviacionit që kanë ngritë shqetësime në raport me këtë.” – ka thënë Kusari-Lila.

“Është temë për m’u shiku, nuk është temë për m’u vulos, si me thanë është e drejtë ekskluzive e një kompanisë, në parim, në secilën vendimmarrje dhe politikë jemi kundër monopolit.” – ka shtuar Mimoza Kusari-Lila, kur u pyet se a do ta ndalojë monopolin në shitjen e kerozinës.

Për shitjen e duhanit te fëmijët, Kusari-Lila tha se nuk e ka asnjë pengesë ose drojë që të mos i dënojë edhe deri në mbyllje të dyqaneve që shesin duhan, bizneset e mëdha që e ekspozojnë duhanin, bizneseve të vogla që mendojnë të bëhen të mëdha duke e dëmtuar shëndetin e fëmijëve duke shitur vape (cigare elektrike).

“Me shoqëri civile, me këshilla të prindërve që bashkë të ngriten si brengë, e para, të krijohen mekanizmat e sanksionimit që janë punë e jonja dhe e treta që të bëhet kontrolli i vazhdueshëm i fëmijëve për moskonsum të vape-t të duhanit.” – theksoi Kusari-Lila.

Kurse, shitjen e alkoolit te të miturit, Kusari-Lila e vlerësoi se kjo kërkon trajtimin me urgjencën më të lartë në raport me shëndetin publik.

Sa i përket mungesës së flamujve të shteteve në raftet e marketeve në Kosovë, që tregojnë origjinën e produkteve, Kusari-Lila tha se do të realizojnë një kampanjë në të cilën do të informojnë se si duhet të veprojnë marketet që ta evitojnë këtë e të ruhet interesi i qytetarëve.

Sipas saj, përmes Inspektoratit të Tregut do të shqiptohen dënime në bazë të Ligjit për Mbrojtje të Konsumatorit.

“Duhet të jetë specifikisht e përcaktuar origjina e mallit i cili shitet në rafte. Duhet të jetë çmimi ai i cili është në rafte, ai i cili është i përbashkët.” – ka treguar Kusari-Lila./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika