Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ligji për pagat dhe Kodi Civil do të trajtohen në sesionin vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.
Në një konferencë të mbajtur të hënën bashkë me deputetin e VV-së, Adnan Rrustemi, ajo ka thënë se grupi parlamentar të cilin e përfaqëson është optimist që Projektkodi Civil do të kalojë në sesion vjeshtor.
“Ligji i pagave dhe kodi civil do të trajtohen në sesionin vjeshtor, bashkë me ligjin e pagave është edhe ligji për zyrtarët publikë, të dyja pritet të trajtohen, gjithashtu edhe kodi civil parashihet të përcillet në Qeveri dhe të vijë në Kuvend, po shpresoj në javët e para të sesionit vjeshtor, sipas informacioneve të Ministrisë së Drejtësisë. Sa i përket kodit civil është e vërtet se kemi mendime ndryshe… kemi filluar komunikimin dhe angazhimin nuk është një dokument që të thjeshtësohet në një çështje. Përkundrejt mendimeve ndryshe edhe në kuadër të grupit tonë parlamentar jemi optimist se Projektkodi Civil do të kalojë në këtë sesion vjeshtor”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila është deklaruar edhe për zbatimin e masave për letërnjoftime dhe targa, duke thënë se presin fillim të zbatimit të vendimit për reciprocitet më 1 shtator.
“Parashohim të fillojë zbatimi normal i vendimit, shtyrja ka qenë koordinim i qeverisë, presidencës, SHBA-së dhe BE-së, për shkak të një fushatë të madhe dezinformuese nga shteti i Serbisë, dezinformata më raport me procedurën e zbatimit”, ka thënë ajo.
Sa i përket ndikimit rus, Kusari-Lila ka thënë se Qeveria është vlerësuar si një nga qeveritë më proaktive sa i përket ndalimit të ndikimit.
“Është një betejë e vazhdueshme, është shumë vjeçare”, ka shtuar ajo. /koha.net/