Kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së ka bërë thirrje për solidaritet pas sulmit të Rusisë ndaj shtetit të Ukrainës. Sipas saj, mëngjesin e sotëm është sulmuar bota e lirë nga një lider rus, i cili nuk respekton të drejtat e njeriut dhe të popujve.
Gjatë seancës, në deklarimet jashtë rendit të ditës, shefja e GP-së së Lëvizjes Vetëvendosje tha se sulmi ndaj Ukrainës nuk është vetëm ndaj një shteti që është larg nesh.
“Sot nga Kuvendi i Kosovës po bëjmë thirrje solidariteti në emër të të gjithë deputetëve pa dallim, për shtetin dhe popullin e Ukrainës të cilët po ballafaqohen me një agresion të pa precedent, të paktën në shekullin 21. Sot në këtë thirrje po lëm anash ndasitë përballë këtij sulmi ndaj një shteti dhe populli paqësor. Ngjarjet që po ndodhin në të gjitha qytetet e Ukrainës nuk janë vetëm sulme ndaj një shteti që është larg nesh. Në Ukrainë është sulmuar bota jonë e lirë nga një lider rus, që kurrë nuk respektoi as të drejtat e njeriut, as të drejtat e popujve”, ka thënë ajo.





