Mimoza Kusari-Lila Kryetare e Alternativës ka folur për formimin e institucioneve të reja dhe raportet që kanë me partitë që dolën humbëse në zgjedhjet e 14 shkurtit. Thotë se duhet biseduar për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente derisa për formimin e qeverisë thotë se s’ka nevojë për koalicione. Ajo rrëfeu edhe një rast kur kryeministri Avdullah Hoti, nuk e përshëndeti.
“Mendoj se hapësirë për koalicione qeverisëse nuk ka në kuptimin se është e qartë vullneti i qytetarëve për atë se çfarë qeverie duan. Por për bashkëbisedim dhe ulje rreth tryezës politike për procesin e zgjedhjes se presidentes natyrisht se po. Ne do të jemi bashkë në Kuvendin e Republikës së Kosovës si pozitë dhe opozitë”, tha Kusari-Lila.
“Presidentja apo roli i presidentes paraqet një pozitë unifikuese e cila duhet të jetë një person që tejkalon kufijtë politikë të një subjekti apo një liste prandaj jam e bindur se edhe takimet me përfaqësues të partive politike do të fillojnë së shpejti që të kemi një proces që kalon shpejt, pa ndonjë traumë dhe natyrisht që kemi një formim të suksesshëm të institucioneve”, theksoi ajo për Euroneës Albania.





