Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pritet që shumë shpejt t’u dërgojë ftesë për takim Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partive të tjera parlamentare, me qëllim të diskutimit për konstituimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit.
Ajo tha se pret që ftesa të bëhet para seancës konstituive.
“Po, jam e bindur që shumë shpejt, para seancës konstituive, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, koalicionit tonë të përbashkët, do të bëjë ftesë brenda pak ditëve ndoshta edhe orëve edhe për Lidhjen Demokratike, edhe për parti të tjera. Kjo në kuptimin që konstituimi i institucioneve, në veçanti edhe zgjedhja e presidentit, është një obligim i përbashkët i të gjithë deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës. Siç e dimë, përkundrejt çfarëdo marrëveshjeje ose mundësie për t’u zgjedhur Kryesia e Kuvendit, për t’u konstituuar Kuvendi apo për t’u zgjedhur Qeveria, prapë mospasja e suksesit në zgjedhjen e presidentit do e çonte vendin në zgjedhje në një periudhë të shkurtër kohore, jo më pak se dy muaj. Prandaj, për të parandaluar dhe evituar edhe një shkuarje në zgjedhje për të cilën duket se askush nuk e ka as vullnetin e as nuk e shohim se ka ndonjë arsye logjike shpresojmë që të gjithë të jenë të gatshëm të diskutojnë me seriozitetin më të lartë të mundur për detyrat që na takojnë si përfaqësues të zgjedhur të popullit. Qëllimi është që institucionet të konstituohen brenda një periudhe të shkurtër kohore, që pas seancës konstituive të Kuvendit dhe eventualisht edhe zgjedhjes së Qeverisë, të caktohet menjëherë edhe data për votimin fillimisht dakordimin dhe votimin për presidentin e vendit”, ka thënë Kusari-Lila për Ekonomia Online.





