Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se partitë politike duhet ta respektojnë vullnetin e qytetarëve pas zgjedhjeve të 7 qershorit, derisa e ka quajtur “absurde” që subjekte të tjera të kenë kërkesa “paralele” me ato të partisë fituese.
Kusari-Lila ka kërkuar “maturi konform rezultatit zgjedhor” nga përfaqësuesit politikë.
“Është paksa absurde për parti që, në raport me peshën politike dhe besimin që marrin nga qytetarët, të kenë kërkesa të krahasueshme ose paralele me partinë fituese. Kjo qasje po e sjell këtë ngërç, në të cilin pritjet, kërkesat dhe dëshirat po shkojnë mbi mundësitë apo mbi mandatin që këto parti marrin nga qytetarët. Respektimi i vullnetit qytetar është krejt çka duhet për të pasur institucione të formuara pas 7 qershorit, është respektimi i vullnetit të qytetarëve të shprehur më 7 qershor”, ka thënë ajo në konferencë për media.
Kusari-Lila ka theksuar se kompromisi politik nuk mund të shkojë deri te kërkesa për pushtet.
“Unë e kuptoj kërkesën për kompromise politike, por përtej asaj që kanë vendosur qytetarët me votë, është e pakuptimtë të kërkohet të merret pushtet në tavolinën e negociatave”, shtoi ajo./KOHA