Juristja e medias, Flutura Kusari, ka reaguar pas publikimit të Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit nga “Reporterët pa Kufij”, duke e cilësuar si rënie dramatike pozicionimin e Kosovës në vendin e 99-të – 24 pozita më poshtë se një vit më parë.
Kosova është ranguar në pozitën e 99 afër Angoles, Mozambikut dhe Mongolise, të trija këto shtete të cilat kanë pasur përmirësim”, shkroi Kusari në reagimin e saj, në Facebook.
Ajo listoi një sërë faktorësh që kanë ndikuar në këtë degradim të lirisë së medias në vend, duke përmendur:
• Sulmet politike ndaj gazetarëve, përfshirë akuzat e pabazuara për bashkëpunim me “armikun”,
• Ndikimin politik mbi RTK-në,
• Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media,
• Bojkotin ndaj mediave nga qeveria para zgjedhjeve,
• Moszbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike,
• Vëzhgimin e gazetarëve,
• Dështimin e policisë dhe prokurorisë për të ngritur aktakuza,
• Paditë SLAPP (Strategjike kundër Pjesëmarrjes Publike).
“Kosova ka qenë kampione e lirisë së medias në Ballkan. Tash është vendi i ranguar në pozitën më të ulët,” thekson Kusari, duke e krahasuar situatën me vendet fqinje në indeks: Shqipëria (80), Bosnja dhe Hercegovina (86), Maqedonia e Veriut (42), Mali i Zi (37), dhe Serbia (96).