Të martën në ambientet e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet këtij institucioni akademik dhe Kosovo United States Alumni – KUSA, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit, zhvillimit profesional dhe ndërkombëtarizimit.
Sipas njoftimit, kjo marrëveshje synon krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik përmes projekteve të përbashkëta, trajnimeve, punëtorive, mentorimit, praktikave profesionale dhe aktiviteteve akademike.
Po ashtu, thuhet se bashkëpunimi do të kontribuojë në zhvillimin e kapaciteteve institucionale, mbështetjen e granteve dhe përfshirjen e alumnive në iniciativa që lidhen me inovacionin, edukimin, drejtësinë, zhvillimin ekonomik dhe përfshirjen sociale.
Memorandumi u nënshkrua nga rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, dhe drejtori i KUSA-s, Labinot Salihu, duke shënuar, sipas Universitetit, një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit institucional dhe krijimit të mundësive të reja për komunitetin akademik.