LAJME

Kurti zhvilloi bisedë telefonike me komisioneren Kos, folën për ecurinë e reformave drejt integrimit në BE

Kurti zhvilloi bisedë telefonike me komisioneren Kos, folën për ecurinë e reformave drejt integrimit në BE
TV Prizreni
TV Prizreni
10 Mars 2026, 10:32

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një bisedë telefonike me komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos. Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në këtë bisedë u diskutua për zgjerimin dhe ecurinë e reformave të Kosoves drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Siç bën të ditur ZKM, kryeministri Kurti theksoi se ndër vendimet e para të Kuvendit të Republikës së Kosovës, krahas miratimit të buxhetit të ri në vlerë prej 4 miliardë euro, ishte edhe miratimi i Planit të Rritjes në vlerë prej 882.6 milionë euro, i cili synon përshpejtimin e reformave dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Pas miratimit të Planit të Rritjes, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë paraparë një sërë hapash për zbatim, të ndërlidhur ngushtë me kalimin e ligjeve në Kuvend, që kapin vlerën rreth 90 milionë euro. Integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet kyç i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kryeministri nënvizoi rëndësinë e marrjes së statusit kandidat si hap të rëndësishëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian” – thuhet në njoftim.

Tutje, ZKM njofton se u bisedua edhe për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon.

“Kosova është e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe i është bashkuar të gjitha pakove të sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse, në përgjigje të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës” – njofton në fund Zyra e Kryeministrit.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika