LAJME

Kurti: Xhandarmëria do ta plotësojë boshllëkun mes Policisë dhe FSK-së

Kurti: Xhandarmëria do ta plotësojë boshllëkun mes Policisë dhe FSK-së
TV Prizreni
TV Prizreni
28 Maj 2026, 10:35

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se krijimi i Xhandarmërisë është i domosdoshëm për të adresuar sfidat aktuale të sigurisë dhe për të plotësuar boshllëkun mes Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Duke folur për situatën e sigurisë, Kurti ka thënë se ajo po evoluon me shpejtësi dhe se kërcënimet aktuale nuk janë të njëjta me ato të një dekade më parë.

“Gjendja e sigurisë po evoluon me shpejtësi. Kërcënimet me të cilat përballemi sot nuk janë ato të një dekade më parë. Sfidat kryesore përfshijnë grupe të armatosura paraushtarake dhe kapacitete superiore ndaj atyre policore, kontrabandë të vazhdueshme me armë e mallra që cenojnë sigurinë përgjatë vijës kufitare, si dhe infiltrime të grupeve të armatosura që kërcënojnë sovranitetin tonë”, u shpreh Kurti në një konferencë për shtyp të enjten bashkë me ministrin e Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla.

Ai përmendi gjithashtu përdorimin e teknologjive moderne, përfshirë dronët, në sulme ndaj sovranitetit të Kosovës dhe për këtë shprehu nevojën për mbikëqyrje të vazhdueshme të terrenit dhe infrastrukturës kritike.

Sipas tij, Policia e Kosovës po kryen punë të jashtëzakonshme, por ka mandat të kufizuar në ruajtjen e rendit publik dhe luftimin e krimit.

“Kemi pasur sulme të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, veçanërisht në veri, ndaj institucioneve të Kosovës, Policisë, qytetarëve dhe misioneve ndërkombëtare. Kjo tregon se grupet e armatosura me organizim paraushtarak kanë rrezikuar dhe mund të rrezikojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Kurti theksoi se përballja me këto sfida kërkon krijimin e një strukture të re të specializuar.

“Me qëllim të adresimit të këtyre sfidave dhe rreziqeve, themelimi i Xhandarmërisë si strukturë e re, e specializuar, moderne dhe e disiplinuar është domosdoshmëri e kohës. Ajo do të plotësojë boshllëkun mes Policisë dhe Ushtrisë, përkatësisht FSK-së”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, Xhandarmëria do të ketë mandat të qartë për sigurimin e vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore, operacionet kundër grupeve terroriste dhe të armatosura, luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Ai shtoi se modeli i Xhandarmërisë është praktikë e njohur evropiane, duke përmendur Francën, Italinë, Spanjën dhe Portugalinë si vende që kanë struktura të ngjashme.

“Po ndjekim praktikat më të mira evropiane, por modeli i Kosovës do të ndërtohet sipas sistemit tonë kushtetues, specifikave dhe rrethanave tona”, përfundoi Kurti.

Deri tash, është themeluar grupi punues që do të merret me specifikat e formimit të Xhandarmërisë si forcë e re policore./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika