Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e zhvilloi vizitën e tij të parë në Francë të mërkurën. Prioriteti i tij diplomatik është ta marrë njohjen nga Serbia, të cilën Beogradi gjithmonë e ka refuzuar që nga lufta.
Kurti ka dhënë një intervistë për gazetën “Le Monde” në Paris, ku ka thënë se është vetëm një çështje diskutimi mes tij dhe Vuçiqit. Për gazetën franceze, e cila e quan Kurtin si ish-aktivist të UÇK-së, kryeministri i Kosovës ka thënë se Serbia duhet ta pranojë realitetin dhe të demokratizohet.
Kurti është ish-aktivist i krahut politik të guerilës kosovare, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UCK). U mbajt në Serbi për dy vjet në kohën e luftës në Kosovë. Ai më pas e krijoi lëvizjen Vetëvendosje, me një program revolucionar dhe u bë një kundërshtar i vendosur i qeverive të njëpasnjëshme të komandantëve të UÇK-së. Albin Kurti paraqitet sot si një socialdemokrat dhe u zgjodh si kryeministër me një program për ta luftuar papunësinë, korrupsionin dhe krimin e organizuar, shkruan Le Monde, transmeton Gazeta Express.
Një pjesë e shkurtër nga intervista e Kurtit për gazetën franceze:
Le Monde: Sapo e keni takuar për herë të parë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel. Cila ishte përshtypja juaj?
Kurti: Ky është takimi i parë për një dialog në të ardhmen. Nuk ishte i lehtë, por konstruktiv. Kam insistuar që asgjë të mos fshihet nën tepih, pra që çështja e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë duhet të adresohet me sinqeritet. Të gjithëve na duhet kjo njohje reciproke. Z. Vuçiq u përgjigj duke thënë se kurrë nuk do ta njohë Kosovën. Mospranimi i realitetit në njërën anë, apo e vërteta në anën tjetër, vijnë nga e njëjta logjikë. Serbia duhet të distancohet nga ditët e [Slobodan] Millosheviqit, i cili nisi aparteid dhe përfundoi me gjenocid në Kosovë. Liderët e Serbisë duhet të ndahen nga trashëgimia e Millosheviqit.
Pavarësia e Kosovës është 13-vjeçare. Nuk mund të kemi diskutime siç kemi bërë para vitit 2008. Që nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2010, i cili validitoi faktin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar, ky debat është mbyllur. Nuk do ta diskutoj statusin e Kosovës, është çështje e zgjidhur. E vetmja çështje sot është marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë. Vuçiqi duhet ta kuptojë këtë. Vuçiqi ende e konsideron Kosovën territor të cilin Serbia një ditë duhet ta rikthejë, pa marrë në konsideratë popullin dhe qytetarët e saj. Serbia duhet të përballet me të kaluarën dhe të bëhet më demokratike.