Në prag të ndeshjes së shumëpritur për kualifikimet e Evropianit 2024, ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës që luhet të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri”, kryeministri Albin Kurti në shoqëri të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministres Daulina Osmani ka vizituar kampin e Dardanëve në hotelin “Emerald”.
Kurti ka falënderuar futbollistët kosovarë dhe stafin e Kombëtares në përgjithësi për punën e mirë dhe për emocionet e papërshkrueshme që i japin popullit të Kosovës.
“Ju vazhdimisht në ndeshjet e kaluara na keni sjell emocione, por edhe ethe. Janë emocione të paharrueshme dhe gëzime të cilat na mbajnë optimistë për të ardhmen. Ju dëshiroj shumë sukses në dy ndeshjet në vijim. E di se me Zvicrën e keni më vështirë edhe për arsye objektive, por besoj se me mbështetjen e ministrisë, me trajnerët që keni dhe me punën ekipore e ushtrimet që do të bëni në këto ditë, do të keni mjaftueshëm energji që edhe në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ më 9 shtator, por edhe më 12 shtator kundër Rumanisë të jepni maksimumin dhe të merrni rezultatin që të gjithë e presin me aq dëshirë”, ka thënë Kurti.