Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë i ftuar mbrëmë në në emisionin Politiko të Kanal10, ku ka theksuar se “veprimet në veri kanë qenë parimore, ligjore dhe të domosdoshme për integritetin territorial, sovranitetin dhe sigurinë publike”.
I pyetur se “a ia ka vlejtë barra qiranë për veprimet të cilat janë bërë në veri”, Kurti teksa ka ndarë përgjigjen e tij sot në një postim në Facebook, ka shkruar se “pavarësisht kritikave, ajo që Kosova ka fituar si shtet është shumë më e madhe dhe më e vlefshme sesa çdo gjë tjetër”.
Ai ka nënvizuar se “janë mbyllur 29 nga 37 rrugët ilegale, janë eliminuar strukturat paralele të Serbisë, janë larguar kriminelët e mëdhenj dhe shteti ka vendosur rend dhe ligj në 16% të territorit”.
“Veprimet në veri kanë qenë parimore, ligjore dhe të domosdoshme për integritetin territorial, sovranitetin dhe sigurinë publike. Edhe pse nuk e kemi nisur duke menduar ‘a ia vlen barra qiranë’, sot mund të them se ia ka vlejtur shumë: janë mbyllur 29 nga 37 rrugët ilegale, janë eliminuar strukturat paralele të Serbisë, janë larguar kriminelët e mëdhenj dhe shteti ka vendosur rend dhe ligj në 16% të territorit. Pavarësisht kritikave, ajo që Kosova ka fituar si shtet është shumë më e madhe dhe më e vlefshme sesa çdo gjë tjetër” – shkruan Kurti.
