Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Dardanët për fitoren e rëndësishme ndaj ekipit kombëtar të Sllovakisë në ndeshjen e djeshme futbollistike, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për historinë e futbollit në vend.
Dardanët triumfuan me rezultat 4:3 në Bratislavë, në një përballje dramatike në kuadër të play-off-it për kualifikim në FIFA World Cup 2026, duke bërë një hap të madh drejt një arritjeje historike.
Përmes një mesazhi publik, Kurti ka përgëzuar Dardanët, tifozët dhe të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, duke theksuar se kjo fitore shënon një kapitull të ri për futbollin kosovar.
“Ky ekip me këta tifozë, sonte kanë hapur një kapitull të ri të futbollit te ne. Loja e shkëlqyer dhe realizimet precize do të mbeten të paharrueshme përgjithmonë,” është shprehur ai.
Tutje, kryeministri ka nënvizuar se suksesi i arritur është rezultat i përkushtimit dhe dëshirës së madhe për fitore, duke shtuar se objektivat madhore tashmë duken më të arritshme.
“Ashtu siç ëndërruam, edhe triumfuam. Aq shumë dëshiruam, saqë fituam shumë. Kampionati Botëror kurrë s’ka qenë më afër,” ka deklaruar Kurti.
Fitorja e fundit e Dardanëve është pritur me entuziazëm të madh nga tifozët, ndërsa ekipi tashmë ka siguruar kalimin në finalen e play-off-it, duke rritur shpresat për një kualifikim historik në arenën ndërkombëtare.