LAJME

Kurti uron Fitër Bajramin, bën thirrje për solidaritet dhe kujdes ndaj fëmijëve

Kurti uron Fitër Bajramin, bën thirrje për solidaritet dhe kujdes ndaj fëmijëve
TV Prizreni
TV Prizreni
20 Mars 2026, 06:45

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajrami, duke përcjellë një mesazh urimi dhe reflektimi për këtë ditë të shenjtë.

Në urimin e tij, Kurti ka shprehur dëshirën që agjërimi dhe lutjet e besimtarëve të jenë pranuar, duke theksuar rëndësinë e falënderimit për begatitë që gëzojmë dhe të solidaritetit ndaj atyre që kanë më pak. Ai ka bërë thirrje që kjo ditë feste të shërbejë si nxitje për përmirësim të vazhdueshëm, si në aspektin individual ashtu edhe në atë shoqëror.

“Mirëmëngjes dhe me fat të gjithëve Fitër Bajrami! Uroj që agjërimi dhe lutjet tuaja të jenë pranuar! Në mesin e begative që gëzojmë sot, të rrethuar me më të dashurit tanë, le të na gjejë kjo ditë feste për besimtarët myslimanë, dhe çdo ditë tjetër e vitit, edhe më falënderues për të mirat që kemi, më solidarë me nevojat e atyre që kanë më pak dhe më të vëmendshëm ndaj përmirësimit si individë dhe si shoqëri” – ka shkruar Kurti në Facebook.

Më tej, kryeministri ka vënë në pah rëndësinë e kujdesit ndaj fëmijëve, duke i cilësuar ata si amanet të shenjtë. Sipas tij, kujdesi i vërtetë ndaj tyre nis nga mbrojtja dhe përkujdesja e përditshme – në ushqim, shëndet dhe edukim.

Në fund, Kurti ka theksuar se nuk duhet pritur një sprovë për të treguar mirësi, respekt dhe përkushtim ndaj fëmijëve, duke bërë thirrje për ndërgjegjësim dhe përgjegjësi të vazhdueshme në shoqëri.

“Në këtë ditë Bajrami, kur mëshira zbret dhe zemrat pastrohen, le të kujtojmë se fëmijët janë amanet i shenjtë. Kujdesi i vërtetë nuk lind nga shërimi, por nga mbrojtja. Në ushqimin që u japim, në trupin që ua mbrojmë dhe në dijen që ndriçon mendjen e shpirtin e tyre. Le të mos presim sprovën për të treguar mirësi, respekt dhe përkushtim ndaj fëmijëve” – shkruan kryeministri Kurti.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika