Në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e Komitetit Politik Evropian (EPC), Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim bilateral me Kryeministrin e Dukatit të Madh të Luksemburgut, Luc Frieden.
Sipas njofimit nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit, Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut ndaj Kosovës, duke veçuar kontributin e tyre në sektorin e shëndetësisë dhe fusha të tjera kyçe të zhvillimit.
Në këtë drejtim, thuhet se ai falënderoi veçanërisht për mbështetjen e fundit prej 50 milionë eurosh, i cili dëshmon përkushtimin e Luksemburgut ndaj forcimit të kapaciteteve institucionale dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
Siç bëhet e ditur, bashkëbisedimi u përqendrua gjithashtu në zhvillimet aktuale politike dhe prioritetet strategjike të Kosovës në raport me integrimin evropian.
“Kryeministri në detyrë Kurti theksoi rëndësinë e avancimit të mëtejmë në këtë proces, përfshirë kërkesën e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe progresin drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Në përmbyllje, kryeministri në detyrë Kurti falënderoi homologun e tij për përkrahjen e vazhdueshme të Luksemburgut ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke riafirmuar gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe koordinimin në forume shumëpalëshe me interes të përbashkët” – thuhet tutje në njoftim.