LAJME

Kurti: Trysnia e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë, jetike për zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Kurti: Trysnia e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë, jetike për zbardhjen e fatit të të zhdukurve
TV Prizreni
TV Prizreni
1 Gusht 2026, 14:59

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të shtunën (01.08.2026) ka vizituar vendin ku po zhvillohen gërmime në varrezën masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet se janë fshehur trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës nga forcat serbe.

Kurti bëri të ditur se gjatë vizitës, së bashku me drejtorin e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës, Atdhe Hetemi, kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani, dhe udhëheqësin e njësisë së këtij komisioni, Kushtrim Gara, kanë parë nga afër procesin e gërmimeve dhe ekshumimit.

Sipas tij, gjatë kohës sa ndodheshin në lokacion janë zbuluar mbetje mortore.

“Është dhimbje, pikëllim e mundim të shohësh se si 27 vjet pas luftës, e vërteta të cilën Serbia u përpoq ta fshihte e zhdukte, përveçse ta mohonte, po bërtet dhe po del në pah”- ka shkruar Kurti në rrjete sociale.

Ai ka theksuar se për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur është i domosdoshëm shtimi i presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë.

Sipas Kurtit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian duhet të rrisin trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur me Dhunë, të dakorduar më 2 maj 2023 në Bruksel.

Kurti ka kërkuar gjithashtu hapjen e menjëhershme të arkivave serbe, duke përmendur në veçanti arkivin e Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave, për të cilën tha se ka kryer masakra në Kosovë, veçanërisht në Drenicë, dhe që sipas tij është klasifikuar nga shteti serb për 30 vjet.

Ai vlerësoi se hapja e këtyre arkivave do të ndihmonte në përshpejtimin e procesit të identifikimit të personave të zhdukur dhe do t’u jepte fund pritjes së gjatë të qindra familjeve që ende kërkojnë fatin e më të dashurve të tyre.

Në reagimin e tij, Kurti përmendi edhe arrestimet e fundit në Serbi të disa shtetasve serbë të akuzuar për spiunazh, të cilët, sipas tij, kanë dëshmuar para institucioneve ndërkombëtare për krimet e luftës në Kosovë.

“Këto veprime dëshmojnë se ky shtet jo që nuk është i interesuar për të vërtetën, drejtësinë e paqen, por përkundrazi e ndalon dhe burgos secilin që mendon në atë drejtim”- ka përfunduar Kurti.

Për të pestën ditë radhazi po vazhdojnë gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël e Zubin Potokut ku dyshohet për varrezë masive.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika