LAJME

Kurti: Të mbijetuarit e dhunës seksuale meritojnë drejtësi dhe dinjitet – 1925 raste të njohura deri më tani

Kurti: Të mbijetuarit e dhunës seksuale meritojnë drejtësi dhe dinjitet – 1925 raste të njohura deri më tani
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Prill 2026, 11:01

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tryezën e organizuar në shënim të 14 Prillit – Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale nga lufta e fundit në Kosovë.
 
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se në një ditë kujtese e përgjegjësie, më 14 prill, nderojmë të gjitha ato gra dhe ata burra që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, një nga plagët më të rënda dhe më të heshtura të luftës, dhimbje kjo që për aq shumë vite u fsheh për shkak të frikës, stigmatizimit dhe mungesës së hapësirës për të folur.  
 
“Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit ekziston pikërisht për këtë qëllim, për të siguruar që çdo i mbijetuar dhe e mbijetuar, të ketë mundësinë të njihet, të dëgjohet dhe të trajtohet me respektin që meriton. Që çdo e mbijetuar të ketë një derë ku mund të trokasë pa frikë, një proces që garanton konfidencialitet, dhe një shtet që dëgjon seriozisht”, tha ai, duke treguar se deri më tani janë 1925 raste që u është njohur statusi nga Komisioni.
 
Më tej, kryeministri Kurti theksoi se rrëfimet e të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dëshmojnë se të gjitha plagët kërkojnë edhe kujdes shoqëror edhe drejtësi shtetërore, dhe po ashtu na përkujtojnë se mbështetja ndaj të mbijetuarave është obligim e detyrë e përbashkët e të gjithë neve, e cila kërkon përkushtim të përhershëm.

“Zëri i tyre është thelbësor në proceset tona të drejtësisë tranzicionale, që njohin vuajtjet e së kaluarës dhe inkurajojnë për shpresë drejtë së ardhmes”, tha ai.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika