Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në prezantimin e gjetjeve të Anketës së Treguesve të Shumëfishtë – MICS në Kosovë për vitin 2025, të realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në partneritet me UNICEF-in.
Gjatë fjalës së tij, Kurti ka falënderuar të gjithë personat e angazhuar në realizimin e anketës, duke theksuar se të dhënat e saj ofrojnë një pasqyrë më të qartë mbi kushtet në të cilat rriten fëmijët në Kosovë, mundësitë që kanë dhe fushat ku vazhdojnë të ekzistojnë dallime.
“Mund të kemi qëllime të mira, mund të kemi programe dhe investime, por pa të dhëna të besueshme nuk mund ta dimë me siguri nëse ato po arrijnë te njerëzit që kanë më së shumti nevojë”, ka thënë Kurti.
Duke iu referuar të dhënave të viteve 2014, 2020 dhe 2025, kryeministri ka deklaruar se rezultatet e prezantuara ofrojnë arsye për optimizëm, pasi në një numër të treguesve që lidhen me shëndetin, zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve është shënuar përparim i rëndësishëm.
Megjithatë, Kurti ka theksuar se rezultatet tregojnë edhe për sfida që mbeten për t’u adresuar, veçanërisht në reduktimin e dallimeve dhe përshpejtimin e progresit në fusha të caktuara.
“Por, të dhënat na tregojnë njëkohësisht se puna jonë assesi nuk përfundon këtu. Ende ka dallime që duhet t’i zvogëlojmë dhe fusha në të cilat mundemi dhe duhet të ecim më shpejt”, ka deklaruar ai.
Kurti ka thënë se synimi i Qeverisë duhet të jetë që progresi të shtrihet te çdo fëmijë, familje dhe në çdo pjesë të Kosovës, duke e vendosur mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve në qendër të politikave publike.
Në këtë drejtim, kryeministri ka përmendur mbështetjen e Qeverisë për nënat lehona dhe shtesat për fëmijë, si dhe investimet në edukimin e fëmijërisë së hershme dhe programet për zhvillimin dhe intervenimin e hershëm.
Ai ka veçuar gjithashtu politikat për krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë përmes programeve të punësimit dhe aftësimit.
“Kur investojmë në fëmijë, në familje, në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale, ne adresojmë nevojat e sotme dhe njëkohësisht krijojmë mundësi për një shoqëri më të shëndetshme, më të arsimuar dhe më aktive ekonomikisht”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, rezultatet e MICS 2025 do të shërbejnë si bazë për hartimin dhe përmirësimin e politikave sociale, arsimore, shëndetësore dhe të punësimit, si dhe për planifikimin e investimeve të ardhshme në mbështetje të familjeve, veçanërisht të fëmijëve.