Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me Administratorin e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Alexander De Croo, gjatë qëndrimit në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Kështu ka njoftuar Zyra e Kryeministrit të cilët theksojnë se në këtë takim u diskutua për progresin demokratik dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës përgjatë pesë viteve, siç e cilësojnë ata, të dëshmuar edhe përmes renditjeve pozitive në indekse ndërkombëtare.
“Shprehu mirënjohjen ndaj UNDP për përkrahjen përmes projekteve të ndryshme, mbështetjen për zhvillim të qëndrueshëm dhe bashkëpunimin e frytshëm”- thuhet në njoftimin e datës 14.02.2026.
Përgjatë bisedës u diskutuan edhe mundësitë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit.
“Kryeministri ngriti po ashtu rëndësinë në qasjen e Kosovës në Fondet Vertikale të Klimës dhe Mjedisit, sikurse në Fondin Global të Mjedisit (GEF) dhe Fondin e Klimës së Gjelbër (GCF), qasje që mundëson avancimin e agjendës së tranzicionit të gjelbër”- thuhet mes tjerash në komunikatë.
Dy ditë pasi u votua Qeveria Kurti 3, më 13.02.2026, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Gjermanisë për të marrë pjesë në edicionin e 62-të të Konferencës së Sigurisë në Mynih (MSC).
Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se krahas pjesëmarrjes në ngjarjet e organizuara në kuadër të MSC, kryeministri gjithashtu do të ketë edhe takime bilaterale në margjina të konferencës.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë e ftuar në këtë konferencë, por e ka anuluarpjesëmarrjen për shkak të zhvillimeve në vend.
Konferenca e 62-të e Sigurisë në Mynih do të zhvillohet nga 13 deri më 15.02.2026, në Hotel Bayerischer Hof në Mynih.
Si forumi kryesor për politikën ndërkombëtare të sigurisë, MSC 2026 do të mundësojë debate të nivelit të lartë mbi sfidat kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë të kohës sonë.
Të udhëhequr nga Kryetari i MSC-së, Ambasadori Wolfgang Ischinger, qindra vendimmarrës dhe liderë nga rajone të ndryshme të botës do të diskutojnë sfidat e politikës së sigurisë.
Gati 50 kryetarë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë bota kanë konfirmuar tashmë pjesëmarrjen e tyre në MSC 2026. Këtu përfshihen udhëheqës nga shumica e vendeve evropiane, së bashku me një delegacion të madh nga Qeveria Federale Gjermane, të udhëhequr nga Kancelari Friedrich Merz.