Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mirëpriti zëvendëspresidentin Ekzekutiv të prodhuesit të njohur amerikan të industrisë ushtarake AM General, John Chadbourne dhe Drejtorin për Zhvillimin e Biznesit Ndërkombëtar në këtë kompani, Juan Hernandez.
Sipas një njoftimi për media thuhet se Ministria e Mbrojtjes dhe AM General dje kanë nënshkruar një kontratë kornizë 3-vjeçare që përfshin blerjen, nga ana e Kosovës, të sistemeve moderne të artilerisë mobile HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Howitzer (MHS).
“Në kontratë gjithashtu përfshihen pjesë rezervë, mirëmbajtja, si dhe trajnimi për operim dhe mirëmbajtje. Përveç HUMVEE Hawkeye-ve, si pjesë e kësaj kontrate, FSK-ja do të pajiset gjithashtu me ambulanca, automjete për komandim dhe kontroll, si dhe automjete të tjera mbështetëse, të cilat mundësojnë funksionalizimin e një baterie të plotë artilerie dhe krijimin e kapaciteteve të zjarrit direkt dhe indirekt për Forcën e Sigurisë së Kosovës”.





