Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në zyrën e tij në takim profesorin Martin L. Camp që është prodekan i Fakultetit Juridik të Universitetit “Southern Methodist” në Dallas të Teksasit, i cili po qëndron në Kosovë për të vendosur bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë.
“Prof. Camp, i cili ligjëron në fushat e së drejtës biznesore ndërkombëtare dhe etikës së juristëve, foli për rolin e avokatit në zhvillimin ekonomik dhe drejtësinë shoqërore në një vend demokratik. U shpreh i lumtur për memorandumin e bashkëpunimit që ka nënshkruar këtë javë me Universitetin e Prishtinës dhe për mundësinë për t’u ndërlidhur me institucione të tjera në Kosovë”, thotë komunikata e qeverisë.
Tutje, thuhet se kreu qeveritar ka vlerësuar rëndësinë e arsimit dhe juristëve të kualifikuar për zhvillimin ekonomik, qeverisjen e mirë dhe përfaqësimin e duhur të shtetit.
“Në veçanti u vendos theksi mbi rëndësinë e etikës së juristit dhe kontributit të të njëjtit ndaj sundimit të ligjit”, tregohet në këtë komunikatë.