Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua sot me drejtorin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor, Vladimir Obradoviq.
“RYCO është një nismë e Procesit të Berlinit, e dedikuar për pajtim dhe paqe përmes bashkëpunimit rinor, e frymëzuar nga Zyra Franko-Gjermane e Rinisë (FGYO). Vitin e kaluar, Kosova ishte kryesuese e RYCO dhe Prishtina për herë të parë ishte nikoqire e Forumit Rinor, ku u pritën të rinj nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor-Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia” – njofton Zyra e Kryeministrit.
Sipas njoftimit, kryeministri Kurti shprehu vlerësimin e tij për forumin e suksesshëm dhe theksoi nevojën për organizimin e më shumë ngjarjeve të tilla në Prishtinë dhe për më shumë projekte të përbashkëta të mobilitetit, që kanë fokus posaçërisht edukimin dual, si dhe sportin.
ZKM bën të ditur se ai gjithashtu theksoi rëndësinë e shkëmbimeve ndërmjet të rinjve në adresimin e narrativave të rreme dhe në nxitjen e diskutimeve mbi mundësitë për zhvillim.
Siç bëhet e ditur, kryeministri Kurti rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të mbështetur RYCO-n në misionin drejt pajtimit e bashkëpunimit ndërmjet të rinjve të rajonit.