Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën është takuar me kandidaten për kryetare të Komunës së Zveçanit, Sladjana Pantiq, duke shfrytëzuar rastin të thotë se pjesëmarrja në zgjedhje e jo bojkotimi i tyre kontribuon në zhvillimin e demokracisë, duke aluduar në Listën Serbe që ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet në veri.
Sipas njoftimit, Kurti ka thënë se me zgjedhjet synohet që të adresohen edhe nevojat e komunitetit e që qytetarët mund ta tregojnë fuqinë e tyre brenda një shteti demokratik si Kosova.
“Zgjedhjet e lira dhe të drejta, e pluralizmi politik janë parakusht i demokracisë. Në zgjedhjet e prillit të këtij viti në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, qytetarët kanë mundësinë të krijojnë zë të fuqishëm përmes përfaqësuesve të zgjedhur e të jenë pjesë e vendimmarrjes. Kështu qytetarët tregojnë fuqinë e tyre brenda një shteti demokratik si Kosova. Pjesëmarrja e jo bojkoti i kontribuon edhe zhvillimit të demokracisë edhe adresimit të nevojave të komunitetit”, thuhet në njoftim.





