Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, është takuar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Catherine Colonna.
Në takim u bisedua për progresin në vend, që është evidentuar edhe nga shumë organizata ndërkombëtare si dhe Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022, progres, të cilin e përshëndeti Kancelari Scholz.
“Rritja ekonomike, sundimi i ligjit, mbështetja sociale dhe demokratizimi institucional e shoqëror kanë avancuar gjatë dy viteve të fundit”, ka thënë kryeministri Kurti gjatë takimit me Scholz, njofton Kryeministria.
Kurti e njoftoi kancelarin Scholz dhe ministren Colonna se Qeveria e Kosovës së fundmi ka miratuar tri marrëveshjet e nënshkruara me 3 nëntor në Berlin, që së shpejti do të ratifikohen edhe në Kuvend, duke dëshmuar kështu përkushtimin për Procesin e Berlinit.
Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, në takim u fol edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përgatitjet për takimin e radhës në Bruksel, si dhe për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve.
“Duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Gjermanisë dhe Francës, lryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës, si vend pro-evropian dhe pro-amerikan, mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog teksa dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO”, thuhet në njoftim.