LAJME

Kurti: Synimi ynë është ta transformojmë ekonominë e Kosovës dhe ta forcojmë prodhimin vendor

Kurti: Synimi ynë është ta transformojmë ekonominë e Kosovës dhe ta forcojmë prodhimin vendor
TV Prizreni
TV Prizreni
17 Gusht 2026, 07:44

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se synimi i Qeverisë është transformimi i ekonomisë së Kosovës, forcimi i prodhimit vendor dhe rritja e eksporteve në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.

Kurti i bëri këto deklarata në ceremoninë e fillimit të punimeve për ndërtimin e Parkut Industrial në fshatin Livadicë të Komunës së Podujevës, të organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Ai tha se parqet industriale synojnë t’u krijojnë mundësi bizneseve vendore për zgjerimin e kapaciteteve, diasporës për të investuar në vendlindje, si dhe investitorëve të huaj për të zhvendosur një pjesë të prodhimit të tyre në Kosovë.

“Synimi ynë si qeveri është ta transformojmë ekonominë e Kosovës, ta forcojmë prodhimin vendor dhe të krijojmë sa më shumë produkte në lloje dhe në numër Made in Kosova. Jo vetëm t’i zëvendësojmë importet, por edhe të rrisim eksportet në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare. Parqet industriale janë të menduara për bizneset vendore, të cilat duan të zgjerohen dhe të rrisin kapacitetet e tyre, për qytetarët tanë nga diaspora që duan të sjellin kapitalin dhe përvojën e tyre në vendlindje, si dhe për investitorët e huaj që shohim mundësi për të zhvendosur një pjesë të prodhimit të tyre në Kosovë”, tha ai.

“Kosova ofron një sërë përparësish për investitorët. Sot fillojmë me punime, ndërsa së shpejti pres që ky park të bëhet shtëpi e madhe e re për bizneset”, tha ai./EO

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika