Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se për vdekjen e artistit Shemsi Krasniqi, pikëllimi është mbarëkombëtar.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Shemi ishte zëri që hyri në çdo shtëpi.
“Sot u nda nga jeta Shemsi Krasniqi – Shemi, një zë që ka hyrë në shtëpitë tona pa trokitur. Si vokalist i “Ilirëve”, ai i dha fytyrë një etape të rëndësishme të muzikës sonë dhe i dha publikun një mënyrë për ta ndjerë veten bashkë, edhe kur ishim larg. Me interpretimin e tij, kënga u bë kujtesë dhe kujtesa u bë këngë; “Xhamadani vija-vija” u dëgjua e u këndua si shenjë identiteti dhe bashkimi për shqiptarët kudo. Në këto çaste, e kuptojmë edhe më shumë se sa rrallë lindin zëra që nuk janë vetëm art, por janë gjuhë e përbashkët emocioni shpirtëror. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij, për dhimbjen e humbjes. Ngushëllime për miqtë, bashkëpunëtorët dhe për gjithë publikun që e deshi, sepse kur ikën një artist i tillë, pikëllimi është mbarëkombëtar”, ka shkruar ai në Facebook.





