Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partnere të pazëvendësueshme për Kosovën, ka thënë kryeministri Albin Kurti në një takim me senatorin amerikan Ted Cruz.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti dhe Cruzi kanë shkëmbyer vështrimet mbi situatën gjeopolitike në Evropë, pas agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës.
“Kryeministri Kurti e njoftoi senatorin Cruz për reagimin e qeverisë ndaj agresionit rus dhe punën e qeverisë, me theks në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, qeverisjes së mirë, reformën në drejtësi dhe zhvillimin ekonomik, si dhe me rolin aktiv dhe në rritje të Kosovës në paqen dhe stabilitetin në botë falë partneritetit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zhvillimi ekonomik dhe siguria kombëtare janë themelet e shoqërive prosperuese dhe prioritetet e Qeverisë së Republikës Kosovës, u shpreh kryeministri Kurti, teksa tha se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shohin një partner të pazëvendësueshëm në përmbushjen e tyre”, thuhet në njoftim të Zyrës së Kryeministrit të shtunën.
Cruz ka qenë kandidat në garën e Partisë Republikane për President të SHBA-së më 2016. U rendit i dyti pas Donald Trumpit që fitoi në zgjedhjet për president. Fillimisht pati refuzuar ta mbështeste fushatën e Trumpit, por më pas u bë mbështetës i politikave të tij në presidencë. Më 2021, Cruzi nxiti reagime duke kundërshtuar certifikimin e fitores së Joe Bidenit për president.