Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tryezën e organizuar nga ABSL Kosovo me temën “Kosova: Nga një destinacion pranë bregut në një kufi inovacioni”.
Në fjalën hyrëse, ai tha se sektorët e shërbimeve BPO dhe TIK janë ndër sektorët që po rriten më së shpejti në ekonominë tonë dhe sot, ata punësojnë drejtpërdrejt mbi 47,000 persona.
“Qeveria e Kosovës e ka bërë zhvillimin e këtij sektori një prioritet të qartë për veten e saj, në strategji e në zbatim. Strategjia e Punësimit 2024–2028 vendos sektorin e TIK-ut dhe shërbimeve BPO në qendër të krijimit të vendeve të punës për të rinjtë. Ne po i rishikojmë kurrikulat arsimore në bashkëpunim me industrinë, po krijojmë stimuj fiskalë për investitorët e rinj dhe po punojmë për t’i thjeshtuar procedurat administrative” – tha kryeministri Kurti.
Ai shtoi se sot, 11,410 biznese janë aktive në sektorin e ekonomisë digjitale dhe të shërbimeve profesionale e mbështetëse, me një qarkullim i cili ka arritur në 2 miliardë euro në vitin që lamë pas, pra 2025, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 16 për qind. Nga këto, 78 për qind sigurojnë të ardhura nga tregjet ndërkombëtare, kryesisht nga Gjermania, Zvicra dhe Austria. Sipas Kurtit, kjo tregon se Kosova, përtej produkteve, eksporton aftësi dhe njohuri.
“Nëse më pyesni cila është pasuria më e madhe e Kosovës, natyrisht se do të them njerëzit tanë. Jemi populli më i ri në Evropë me më shumë se gjysmën e popullsisë nën moshën 35 vjeçare, të cilët flasin disa gjuhë, janë të talentuar e optimist dhe kanë shkollimin për të zhvilluar talentin e tyre. Sipas raportit të Emerging Europe, Kosova ka numrin më të madh të studentëve në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit për kokë banori, në 23 shtetet evropiane të cilat i mbulon ky raport. Për më tepër, kemi lidhje të forta me mërgatën tonë, mbi një milion prej të cilëve jetojnë në vendet gjermanofolëse; një kapital i cili nuk mund të mbivlerësohet. Kjo reflektohet dukshëm në sektorin BPO në Kosovë, ku shumica e kompanive kanë pozita drejtuese, si pronarë, drejtorë ekzekutivë apo edhe në funksione të tjera kyçe, por edhe si punonjës, anëtarë të mërgatës sonë. Ata e njohin tregun evropian nga brenda, flasin mirë gjuhën e klientit dhe e kuptojnë kulturën e biznesit ndërkombëtar” – tha ai.
Kurti theksoi se sipas raportit të Emerging Europe, Kosova renditet e para në rajonin e Ballkanit Perëndimor për konkurrueshmëri në fushën e teknologjisë së informacionit dhe është e 11-ta përgjithësisht.
“Këtë konkurrueshmëri e shohim qartë si në çmim, ashtu edhe në infrastrukturë. Kostot e punës në Kosovë janë deri në 50 për qind më të ulëta se në Evropën Qendrore. Kemi valutën euro e në vijim do të kemi edhe valutën tonë digjitale. Jemi në të njëjtën zonë kohore me Stokholmin, Berlinin, Cyrihun e Madridin, si dhe kemi një klimë ligjore gjithnjë e më të favorshme për investitorët. Të gjitha këto i mbështesim me zhvillime të mëdha infrastrukturore” – shtoi Kurti.
Ai potencoi se Kosova është një ndër top tetë shtetet në Evropë sa i përket qasjes në internet.
“Tre vjet më parë kemi mbuluar 100% të zonave të banuara me internet broadband, pra me internet 5G, ndërkaq që nga dy vjet më parë jemi vendi i parë në rajon i cili ka lënë pas teknologjinë 3G; tash punojmë me 5G më shumë se dy të tretat e territorit të Republikës, ndërkaq pjesa tjetër mbulohet me 4G+. Politika e mirë ndërtohet përmes dialogut. Çfarë dëgjoj e do të dëgjoj nga ju sot, si sfidat, nevojat dhe idetë, padyshim që do të ndikojnë në vendimmarrjen e qeverisë. Kjo është arsyeja pse jam këtu bashkë me juve, jo vetëm për të folur, por edhe për të dëgjuar” – theksoi Kurti.
Sipas Kurtit, tema e kësaj ngjarje shpreh qartë ambicien shtetërore e shoqërore.
“Kosova nuk mjaftohet me rolin e një destinacioni ‘nearshore’ të lirë. Ne jemi të vetëdijshëm që bota dhe tregu i punës po ndryshojnë dhe na duhen shkathtësi dhe avancime teknologjike që të mbetemi konkurrues e të jemi gjithnjë e më konkurrues. Prandaj, kemi paraparë inicimin e projekteve dhe krijimin e celulave të inovacionit brenda sektorit publik për të testuar e pilotuar teknologjitë e reja, sikurse inteligjenca artificiale. Këto projekte dhe iniciativa do të ofrojnë mundësi shtesë për bashkëpunim me sektorin privat e akademinë, në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Synojmë të jemi vendi ku inovacioni zhvillohet dhe ku kompanitë ndërkombëtare vijnë jo vetëm për kosto, por për cilësi, besueshmëri dhe bashkëpunim afatgjatë në teknologjitë në zhvillim. Ky nuk është një vizion i largët. Është një proces që tanimë ka nisur. Çdo vend pune i krijuar dhe çdo kompani e re që hapet është një hap konkret drejt këtij qëllimi” – shtoi tutje kryeministri.
Në fund, Kurti tha se Kosova ka gjithçka që i duhet për ta bërë hapin e ardhshëm: “njerëz të talentuar, vendndodhje strategjike, vullnet politik, kompani inovative dhe natyrisht partnerë ndërkombëtarë”.
“Detyra jonë së bashku, si Qeveri, industri dhe shoqëri, është ta kthejmë këtë potencial në realitet” – pwrfundoi ai.