LAJME

Kurti ripërsërit që Qeverinë e re synon ta formojë me pakicat

Kurti ripërsërit që Qeverinë e re synon ta formojë me pakicat
TV Prizreni
TV Prizreni
9 Mars 2025, 13:45

Fiks një muaj pas Zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, kryeministri Albin Kurti ka përsëritur qëndrimin e tij, që si Vetëvendosje synojnë që në Qeverinë e ardhshme ta formojë duke bashkëpunuar me partitë e komunitetit joshumicë në Kosovë.

“Ne bashkëpunojmë edhe me pakicat e tjera dhe synojmë që në mandatin tonë të ardhshëm qeveritar me mua si kryeministër, t’i kemi edhe ata në mazhorancën tonë e në kabinetin qeveritar” – tha Kurti në konferencë për media më 09.03.2025, kur u pyet se do të bashkëpunojë me ministrin Nenad Rashiq dhe partitë tjera nga komunitetet jo-shumicë.

Kurti potencoi se Lëvizja Vetëvendosje bashkëpunon me pakicat në Kosovë të cilat duan të kontribuojnë, të përfitojnë, të integrohen.

“Pa dyshim që ministri Rashiq është ministër shembull i Qeverisë sonë, por edhe është ministri që ka kontribuar për komunitetin serb më shumë sesa cilido minsitër tjetër në këtë pozitë para tij”- shtoi ai.

Rashiq mban mandatin e ministrit për Komunitete dhe Kthim.

Kurti që nga momenti që e shpalli fitoren në mbrëmjen e 09.02.2025, ka ritheksuar që Qeverinë do ta formojë me partnerët e koalicionit Listën Guxo, Alternativa dhe partitë e komuniteteve jo shumicë në Kosovë.

Sipas shifrave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë 396.022 vota, apo 42.27%. Partisë që ka qeverisur katër vjet do t’i takojnë 48 ulëse në Kuvend. Kjo do të thotë se do ta ketë të vështirë formimin e Qeverisë pa koalicion. 

Pas LVV-së, Partia Demokratike (PDK) është renditur e dyta me 196,353 vota, apo 20.96 %, e cila do t’i ketë 24 mandate. Lidhja Demokratike (LDK) me 171,249 vota, apo 18.28% do t’i ketë 20 deputetë. Kurse, Koalicioni AAK-Nisma ka marrë 66,226 vota, apo 7.07%.

Në bazë të rezultateve të publikuara nga KQZ, Lista Serbe do t’i ketë 9 ulëse, ndërsa 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit.

10 ulëset e tjera janë fituar nga komunitetet tjera joshumicë, me dy deputetë Kosova Demokratik Partisi dhe me nga një deputet janë partitë: Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Socijaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, Koalicija Vakat, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Jedinstvena Goranska Partija dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008./Kallxo.com/