Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë përkushtimin e saj për të përmirësuar kushtet socio-ekonomike përmes gjithëpërfshirjes dhe avancimit të të drejtave të komunitetit egjiptian, ka thënë kryeministri Albin Kurti në Ditën e Komunitetit Egjiptas, në një konferencën me temën “Drejt një shoqërie gjithëpërfshirëse me mundësi të barabarta”.
Konferenca u organizua nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim dhe koordinim me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fridon Lala.
Duke uruar komunitetin egjiptian,i Kurti tha se ky komunitet ndër vite jeton në këto troje dhe së bashku me popullsinë shumicë ndau fatin e mirë e të keq edhe për shkak të afërsisë kulturore e gjuhësore.
“Vetëm gjatë viteve ’90, edhe nxënësit e komunitetit egjiptian ishin përzënë nga shkollat, shumë punëtorë ishin përjashtuar nga puna për shkak të solidarizimit në grevat e organizuara nga sindikatat, ndërsa gjatë viteve të luftës, ’98-’99, kishin viktima civile, por edhe pjesëtarë të UÇK-së që luftuan për çlirimin e Kosovës”.
Ai rikujtoi se organizimi politik i komunitetit egjiptian gjatë dy dekadave të fundit, ishte kontributdhënës për shtetësinë e Kosovës dhe pa dyshim se komuniteti si në të kaluarën edhe sot për Kosovën, kultivon dashurinë për atdheun e tyre.
“Ne synojmë që ta zbatojmë në plotni Ligjin nr. 06/L – 114 për zyrtarët publikë, me të cilin përcaktohet që në institucionet publike qendrore, minimum 10% e vendeve të punës në të gjitha kategoritë e zyrtarëve publikë duhet të plotësohen nga pjesëtarët e komuniteteve”, tha kryeministri Kurti.
“Do të punojmë në përmbushjen e premtimeve të vendosura në Programin e Qeverisë, ku prioritet në kuadër të Qëllimeve Strategjike dhe Objektivave Operacionale të Zyrës së Kryeministrit është përfshirë edhe përmirësimi dhe avancimin i gjendjes së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian përmes zbatimit dhe monitorimit të këtyre politikave. Me qëllim të arritjes së këtij prioriteti, kemi paraparë një mekanizëm për nxitjen, promovimin dhe bashkërendimin institucional të punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në institucionet publike”.
Gjithashtu për avancimin e përgjithshëm të situatës, Kurti tha se janë në fazën e parë për të zhvilluar strategjinë për përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, duke u bazuar në kornizën e re strategjike të BE-së për përfshirjen e komuniteteve 2020-2030.
“Qeverisja e mirë, sundimi i ligjit dhe barazia e të gjithë qytetarëve para ligjit mbetet qëllimi dhe synimi jonë kryesor. Një nga objektivat më të rëndësishme të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbetet hartimi dhe zbatimi i politikave dhe legjislacionit që përmirësojnë dhe përmbushin të drejtat dhe shërbimet e qytetarëve në vend, sidomos me fokus në grupet më të margjinalizuara të shoqërisë, duke përfshirë edhe qytetarët e komunitetit egjiptian”.
“Ndërgjegjësimi institucional është pikënisja, shteti duhet të veprojë, e krahas kësaj edhe puna e përbashkët me qytetarët. T’i ndjekim shembujt e mirë të bashkëpunimit, dhe të veprojmë aktivisht për përmirësimin e mirëqenies të të gjithë qytetarëve tanë, pa dallim”.
Në konferencën ku u diskutuan temat e gjithëpërfshirjes së komunitetit egjiptian në punësim, edukim, trajtim të barabartë, jo diskriminim, të pranishëm ishin edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, deputetja Mimoza Kusari Lila, përfaqësuesja nga shoqëria civile Diana Shaka dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile dhe nga komuniteti egjiptian.