LAJME

Kurti priti përfaqësuesen rajonale të UNHCR-së, diskutuan për refugjatët dhe personat e zhdukur

Kurti priti përfaqësuesen rajonale të UNHCR-së, diskutuan për refugjatët dhe personat e zhdukur
TV Prizreni
TV Prizreni
7 Maj 2026, 14:36

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Nicole Epting, Përfaqësuese Rajonale e UNHCR-së për Evropën Qendrore.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, në takim u diskutua për çështjet që lidhen me refugjatët, personat e zhvendosur brenda vendit dhe personat pa shtetësi, si dhe për përgjegjësinë institucionale dhe ndërkombëtare në mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të tyre.

Kurti e ka njoftuar përfaqësuesen Epting me politikat dhe programet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të zbatuara nga ministritë përkatëse, të cilat adresojnë nevojat dhe të drejtat e këtyre kategorive, përfshirë strehimin, mbështetjen sociale dhe qasjen në shërbime publike.

Gjatë bashkëbisedimit është theksuar se trajtimi i këtyre çështjeve duhet të mbetet i udhëhequr nga parimet e të drejtave të njeriut dhe solidaritetit humanitar, duke vendosur njeriun dhe dinjitetin e tij në qendër të politikave publike dhe angazhimit institucional.

Në fund të takimit është diskutuar edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Kryeministri në detyrë ka thënë se 1 mijë e 565 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit dhe potencoi nevojën për zbatimin e plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar në Brussels.

Ai ka nënvizuar se progresi real në këtë proces kërkon hapjen e arkivave nga Serbia, përfshirë arkivin e Brigadës së 38-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, i cili, sipas tij, vazhdon të mbetet i klasifikuar nga autoritetet serbe deri në vitin 2044.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika