Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, organizoi pritje për përfaqësuesit shqiptarë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe Pazari i Ri, pas zgjedhjeve në Serbi, në të cilat partitë shqiptare të bashkuara në listën “Koalicioni Shqiptar”, fituan dy mandate në Kuvend.
Duke i uruar për rezultatin e arritur, kryeministri Kurti u tha se fitorja juaj është dyfish historike, sepse keni realizuar një rekord të ri, krahasuar me vitin 2020, por edhe për shkak se jeni pjesë e një ndryshimi të madh.
“Nga 18 lista që kanë garuar në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, vetëm gjashtë kanë siguruar mandate, pra 12 jo, veç një e treta e listave ka mandate. Nga nëntë lista të pakicave kombëtare, vetëm katër, pra as gjysma e tyre kanë siguruar mandate. Shqiptarët, janë pakica e katërt për nga popullsia në Serbi, por janë renditur të dytët për nga votat dhe të parët për nga mandatet, së bashku me hungarezët, ndër listat e pakicave kombëtare. Ndër listat parlamentare, të katërtit për nga votat dhe të tretët për nga mandatet. Dy partitë më të mëdha kanë së bashku 244 mandate. Katër listat e pakicave, gjashtë. Dy prej tyre janë të Koalicionit Shqiptar”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti falënderoi secilin prej drejtuesve politikë, që vendosën të bashkohen, kandidatët që morën përgjegjësi dhe aktivistët, të cilët kanë punuar pa u kursyer.
“Bashkimi është mirë për të përgjithshmen, por është mirë edhe për secilin prej juve. E ky bashkim nuk duhet të përfundojë me datën 25 tetor, por duhet ta kuptojmë që me 25 tetor, ky bashkim, që është cilësi e re, e ka një kapitull të ri tash, kapitull, i cili duhet të vazhdojë me mbrojtje të fuqishme të drejtave, me kërkesën për barazi dhe në përpjekjen për jetë dinjitoze në vendlindje”, tha kryeministri Kurti, duke theksuar se dy mandatet janë arritje e përbashkët, e mbi të gjitha, janë edhe përgjegjësi e përbashkët.