LAJME

Hetimet për rastin e Arlinda Zekajt barten nga Peja në Prishtinë

Hetimet për rastin e Arlinda Zekajt barten nga Peja në Prishtinë
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Tetor 2026, 16:25

Tri lëndë penale që ndërlidhen me rastin e Arlinda Zekajt janë ricaktuar nga Prokuroria Themelore në Pejë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, me vendim të kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, vendimet janë marrë duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë të çështjeve, pasojat e rënda dhe nevojën për trajtim efikas, objektiv dhe të paanshëm të lëndëve.

Paralelisht, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka thënë se po analizon të gjitha veprimet dhe mosveprimet eventuale institucionale lidhur me rastet e raportuara nga e ndjera. Shqyrtimi përfshin kronologjinë e veprimeve, vendimet e marra, vlerësimin e rrezikut dhe masat e ndërmarra për mbrojtjen e saj.

Në njoftim thuhet se do të kërkohet llogaridhënie për çdo shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprim që mund të konstatohet. 

“Nëse evidentohen shkelje ose përgjegjësi, do të ndërmerren masa në përputhje me ligjin dhe kompetencat përkatëse”, thuhet në njoftim. 

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka theksuar se vlerësimi do të bëhet mbi bazën e fakteve, dokumentacionit dhe provave, pa paragjykuar përgjegjësinë e ndonjë personi.

Kryeprokurori i Shtetit ka ritheksuar se mbrojtja e jetës, zbatimi i ligjit dhe llogaridhënia institucionale janë detyrime që nuk mund të neglizhohen, ndërsa çdo dyshim për mosveprim apo trajtim të papërshtatshëm duhet të shqyrtohet deri në sqarimin e plotë të rrethanave.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika