LAJME

Kurti priti në takim sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së

Kurti priti në takim sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Korrik 2026, 12:29

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE/OSCE), ambasadorin Feridun Sinirlioğlu.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, sekretari i Përgjithshëm Sinirlioğlu, uroi Kurtin për fitoren nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Pasi e falënderoi sekretarin e Përgjithshëm Sinirlioğlu për vizitën, Kurti theksoi rëndësinë që ka për Qeverinë bashkëpunimi me OSBE-në. Në këtë kontekst, ai përmendi kontributin e misionit të OSBE-së në Kosovë në forcimin e institucioneve demokratike, promovimin e të drejtave të njeriut, mbështetjen për sundimin e ligjit dhe ndihmën në zhvillimin institucional të Republikës.

“Ne duam stabilitet, jo vetëm në Kosovë, por në tërë Ballkanin Perëndimor. Ne jemi të bindur që stabiliteti i vërtetë nuk mund të ndërtohet nëpërmjet konflikteve të ngrira ose ambiguitetit politik. Ai arrihet nëpërmjet forcimit të institucioneve demokratike, duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe duke zbatuar ligjin ndaj të gjithëve në mënyrë të barabartë”, tha kryeministri.

Më tutje, kryeministri në detyrë theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar ndaj parimeve që bashkojnë të gjitha shtetet e OSBE-së: demokracia, sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut, qeverisja e mirë, llogaridhënia dhe bashkëpunimi paqësor, si themele të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme.

“Teksa nënvizoi se gjatë viteve të fundit Kosova ka regjistruar një nga trajektoret më të forta të reformave në rajon, kryeministri foli për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe stabilitetit makroekonomik. Ai përmendi rritjen e Bruto Produktit Vendor në 12 miliardë euro, rritjen e të hyrave publike, tejkalimin për herë të parë të vlerës 1 miliard euro te investimet e huaja direkte, si dhe faktin se Kosova ka një nga borxhet më të ulëta publike në Evropë. Kryeministri, mes tjerash, foli edhe për përparimin demokratik, forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë publike, vlerësimet ndërkombëtare që e njohin Kosovën si një nga vendet më të sigurta në Evropë. E po ashtu edhe për largimin e Kosovës nga lista e vendeve të ndikuara nga brishtësia dhe konfliktet, e Fondit Monetar Ndërkombëtar.” – thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Kurti dhe Sinirlioğlu janë takuar edhe në fillim të muajit maj, këtë vit, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan të Armenisë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika