LAJME

Kurti priti në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës, e falënderoi për kontributin në forcimin e partneritetit mes dy shteteve

Kurti priti në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës, e falënderoi për kontributin në forcimin e partneritetit mes dy shteteve
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Korrik 2026, 12:16

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës, Jürg Sprecher.

Kurti e falënderoi ambasadorin Sprecher për bashkëpunimin dhe kontributin në kultivimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme, sipas tij, dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e madhe dhe të vazhdueshme të Zvicrës, Kurti përmendi programin e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

“Krahas 86 milionë frangave zvicerane të ndara për periudhën 2022–2025, për periudhën e re 2026–2029 janë zotuar edhe mbi 64 milionë franga zvicerane për Kosovën. Si fusha me rëndësi të veçantë u veçuan arsimi dhe aftësimi profesional, si dhe projektet në sektorin e ujit, të cilat kanë ndihmuar ndjeshëm në zgjerimin e mbulimit me furnizim me ujë dhe në rritjen e qëndrueshmërisë përballë ndryshimeve klimatike. Kosova është një nga vendet e pakta prioritare në të cilat Zvicra i përdor të tri instrumentet kryesore: bashkëpunimin për zhvillim, bashkëpunimin ekonomik dhe sigurinë njerëzore, të plotësuara nga partneriteti për migracion.” – thuhet në njoftim.

Siç bën të ditur ZKM, në takim u diskutua për përparimin demokratik të vendit, planet për të vazhduar këtë rritje, mërgatën dhe lidhjet e forta ndërmjet dy shteteve, ekonominë dhe shkëmbimet tregtare, si dhe për thellimin e bashkëpunimit, me fokus të veçantë në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe të shërbimeve.

Në fund thuhet se Kurti i uroi ambasadorit Sprecher suksese në angazhimet e reja dhe shtoi se ai do të jetë gjithmonë i mirëpritur në Kosovë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika